Albumi ‘Nil’ nga Ertan Iliyaz, album që rezultoi me një përplasje zhanresh që shpërthyen pamëshirshëm

Shpalosja e këngëve të cilat gërshetohen mes vete në një kulminacion të zjarrtë që morri flakë kur instrumentet diversive frymuan së bashku në një emocion, mbizotëruan mbrëmë në skenën e Kino Armata, me rastin e promovimit të albumit ‘Nil’. Albumi ‘Nil’ nga Ertan Iliyaz, i cili mblodhi së bashku plotë 22 artistë ndërkombëtarë dhe vendor, të cilët me kontributin dhe miqësinë e brendshme mes tyre, shpalosën talentin në instrumentet e posaçme unike duke bërë që secila këngë të ekzistojë në një zhanër ndryshe nga tjetra. Ky bashkëpunim mes artistëve na prezantoi edhe me miksimin e zhanreve të huaja me ato të vendit tonë duke krijuar një urë artistike nëpërmjet së cilës melodia nuk ka vend për definim. Pasi të pranishmit zunë vendet e tyre, pasoi një qetësi ku dëgjoheshin vetëm krismat e vogla të instrumenteve të cilat po bëheshin gati të ringjallen përsëri. Dritat u fikën e disa u zvogëluan, duke krijuar një ambient të ngrohtë e cila u shoqërua me këngën ‘The Sing’ nga Bill Callahan. Kjo këngë me gjasë ishte menduar të jetë një parapërgatitje e vogël për atë që më të vërtetë do të fillonte. Fillimi i koncertit u gjallërua nën melodinë e tastierës nga Iliyazi, e cila për një çast mashtroi publikun se kënga mbase do të kishte një fillim të qetë, por nuk kaloi një minutë kur magjia e instrumenteve e sidomos bateritë, zgjuan nga qetësia publikun dhe e pasuruan me meloditë e ashpëra të cilat u vendosën mbi shpirtin e të pranishmëve duke zgjuar kështu edhe lëvizjet e limituara në ulësen e tyre. Në pamundësi që të gjithë artistët të ishin prezent për këtë promovim, në skenë si mysafirë të veçantë morën pjesë: Aluş Nuş, muzikanti i njohur nga Prizreni në instrumentin ‘Yayli Tanbur’, Agron Peni në instrumentin ‘Flamenco Guitar’, dhe Dukagjin Muhaxheri në instrumentin ‘Saxophone’. Këta artistë të shoqëruar së bashku edhe me Senad Jaminin, Labinot Krasniqin, Xhemil Gjini dhe Teoman Ukca, e tundën publikun sa në një frymë melankolike të jazz, e herë tjera edhe në një frymë të çmendur rok, me ç ‘rast pushtuan publikun me një llojllojshmëri e cila la gjurmë në atmosferën e natës së mbrëmshme. Prandaj, ndonëse artistët e njohur si: Agron Shujaku, Ardian Bakalli, Asena Akan, Astrit Stafai, Avni Krasniqi, Besa Llugici, Betim Krasniqi, Fatlind Ferati, Flaka Goranci, Ilire Avdiu, Nadishana, Riccardo Marenghi, Tuncay Tuncay, Visar Mehmeti dhe Volkan Hürsever, nuk arritën të ishin aty, kjo natë pati një çiltërsi të pa shfrenuar e cila rezultoi në një natë mjaft kuptimplotë. E kur kësaj nate po i vinte fundi, tek publiku u dallua një dëshirë e madhe qe kjo natë të mos përfundonte fare, por meqenëse çdo gjë ka një fund, edhe kënga e fundit u përmbyll me brohoritje dhe duartrokitje të cilat zëvendësuan frymën muzikore të instrumenteve, që tanimë kishin shpalosur perden e fundit. Albumi ‘Nil’, kishte përfunduar në vitin 2019, e lansuar në vitin 2019 por pastaj me ardhjen e një ‘lufte’ pandemike, ky album nuk pati mundësi promovimi. Ndërsa, Ertan Iliyaz në një prononcim për KultPlus, shpalosi se titulli i albumit ka një domethënie të veçantë e në fakt është një dhuratë për vajzën e tij 6 vjeçare me emrin Nil, e cila kur të rritet të ketë diçka të dedikuar asaj. “Jam shumë i kënaqur sonte, sepse edhe pse në situatë pandemike, kanë ardh kaq shumë njerëz. Është me të vërtetë një kënaqësi e madhe për neve si artistë që jemi mbledhur së bashku, sepse nuk po kemi mundësi të shumta. Pas albumit normalisht që vinë edhe koncertet të cilat duhet të shfaqen edhe në qytete tjera, prandaj duhet të punojmë edhe në atë drejtim”, tregon ai. Sipas Iliyazit, plotë 10 këngët e albumit kanë një zhanër ndryshe nga njëra-tjetra, prandaj nuk ka qenë edhe shumë e lehtë por me eksperiencën e artistëve që kanë talent në zhanrin specifik të tyre, albumi gjeti fundin e tij. Por normalisht që secili proces ka vështirësitë, sepse disa artistë jetojnë jashtë Prishtinës, por miqësia e madhe synoi që këto këngë të ndahen edhe me komunitetin sepse publiku ka nevojë për koncerte, meqenëse në përgjithësi shumë pak koncerte po mbahen në Kosovë, një sfidë kjo e njohur për shumë artistë. “Edhe pse albumi përfshin këngë të zhanreve të ndryshme, kënga ‘Nil’ është ajo këngë të cilën do e veçoja, sepse është një dhuratë ndaj vajzës dhe në këtë këngë po ashtu merr pjesë Flaka Goranci e cila është një operiste ndërkombëtare që jeton dhe vepron në Austri, dhe i dha një frymë të bukur këngës”, thotë Iliyazi për KultPlus. Në një organizim të koncerteve, si edhe kjo e fundit, mbledhja e artistëve të cilët janë nga vende të ndryshme si: Italia, Gjermania, Turqia dhe komunitete të ndryshme si p.sh ajo boshnjake, është mjaft e rëndësishme. “Me po këta 22 artistë shpresojmë që të mbajmë koncert në të ardhmen”, potencon ai. Ndërsa në këtë natë kaq të lezetshme, me inkuadrimin e veçantë dallues të baterive, artisti Ukca, tregon për pjesëmarrjen e tij si baterist ku fillimisht u ftua për incizim live të këngëve e pastaj erdhi ideja për të zhvilluar një koncert pas përpunimit të albumit ku edhe sot u finalizua. “Procesi i xhirimit të këngëve ka qenë shumë e lehtë pre mua sepse të gjithë muzicientët që janë të përfshirë, tashmë janë muzicientë me eksperiencë”, tregon Ukca për KultPlus. Sipas tij, kënga Nili është ajo më e veçanta sepse emri Nil si emër është i mirë por edhe melodikisht, sepse është një këngë shumë e lehtë, të cilën mund ta dëgjosh 50 herë por nuk është e mërzitshme. “Bateritë janë instrumenti im i preferuar me të cilin merrem rreth 30 vjet dhe është trashëgimi nga babai i cili ka qenë edhe vetë baterist, prandaj vazhdova trashëgiminë e tij, por për mua nuk është vetëm një instrument i thjeshtë, por është pjesë e jetës”, thotë ai. Tutje ai flet edhe për përshtypjet e kësaj nate, për të cilën koha për të ishte shumë e shkurtër. “Qetësia e madhe që ishte prezentë në një situatë të tillë, më la përshtypje sepse vërehet se njerëzit kanë nevojë për muzikë, për tu kënaqur por edhe thjesht për të pushuar nga streset ditore nga një situatë të cilën të gjithë gjendemi”, përfundon Ukca. Ky album është pjesë e edicionit të 11-të, të koncerteve të organizuara nga “Ertan Iliyaz & Friends”, me mbështetje nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com