Zgjerohet festivali Turk i muzikës jazz (AL)

Posted on Apr 14, 2015 in Media

W3vina.COM Free Wordpress Themes Joomla Templates Best Wordpress Themes Premium Wordpress Themes Top Best Wordpress Themes 2012
Zgjerohet festivali Turk i muzikës jazz (AL)
Turkish Jazz Week 4 edition 2015

Turkish Jazz Week 4 edition 2015

 

 

Prishtinë, 14 prill – Edicioni i katërt i festivalit të muzikës jazz “Turkish Jazz Week”, vjen me dy koncerte më shumë se sa vitin e kaluar.

Gjatë pesë netëve, në skenë do të ngjiten muzikantë të ndryshëm të njohur në skenën e jazzit në Turqi dhe më gjerë. Festivali nis sonte (e martë) me koncertin e treshes “Televin”, që do të sjellë muzikë tradicionale të gërshetuar me rock, blues dhe jazz bashkëkohor. Ky koncert do të mbahet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Natën e dytë, festivali do të zhvendoset në Prizren. Trioja e “Tad Band” do të sjellë për publikun prizrenas tinguj të jazzit dhe bluesit, në koncertin i cili do të mbahet në Qendrën Kulturore “Xhemail Berisha”.

Më pas në Sallën e Kuqe në Prishtinë do të zërë vend koncerti i tretë me radhë. Kuarteti i kontrabasistit me prejardhje shqiptare, Volkan Hursever, do të ngjitet në skenë. Hursever është i njohur për bashkëpunimet e tij me muzikantë të njohur turq dhe botërorë. Ai ka performuar me emra të njohur të jazzit si: Roy Haynes, Kenny Garret, Nicholas Payton dhe Dave Kikovski. Pas Prishtinës, koncerti i datën 17 do të mbahet në Gjakovë.

Në skenën e Qendrës Kulturore “Asim Vokshi” do të ngjitet këngëtarja Asena Akan me bendin e saj. Në performancat e saj ajo gërsheton jazzin standard dhe meloditë braziliane me stile bashkëkohore. Në përmbyllje festivalit rikthehet në TKK me Kuintetin e Sibel Koses që njihet si “Zonja e parë e jazzit turk”.

Krahas këtyre pesë koncerteve, sipas koordinatorit të “Turkish Jazz Week”, Ertan Ilijaz, do të zënë vend edhe dy punëtori. Njëra në Gjakovë dhe tjetra në kryeqytet.

“Këtë vit kemi pasur mundësi që ta zgjerojmë festivalin. Vitin e kaluar ka zgjatur tri net, ndërsa kësaj radhe do të jetë pesë. Kemi marrë iniciativë që të mbahet edhe në Prizren dhe Gjakovë. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të jemi në gjendje të mbajmë koncerte edhe në Pejë, Mitrovicë dhe qytete të tjera. E tërë kjo varet nga sponsorët”, ka thënë Ilijaz, të hënën, në një konferencë për media.

Bashkë me të, për të prezantuar programin e këtij edicioni ka qenë edhe Yalçin Aydin, sekretari i tretë dhe atashe në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë. Ai ka thënë se këtë vit ky festival përcillet me disa ndryshime.

“Është ndryshuar edhe skema e organizimit, po ashtu edhe strategjia. Qëllimi është që këtë vit t’u japim më shumë hapësirë muzikantëve vendës. Do të donim që së shpejti ky festival të mos organizohet më nga ambasada, por të jetë vendës, i organizuar nga njerëzit këtu”, ka thënë Aydin.

 

© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara