Multiinstrumentisti nga Siberia mahnit publikun e kryeqytetit (AL)

Posted on Nov 11, 2014 in Media

W3vina.COM Free Wordpress Themes Joomla Templates Best Wordpress Themes Premium Wordpress Themes Top Best Wordpress Themes 2012
Multiinstrumentisti nga Siberia mahnit publikun e kryeqytetit (AL)
– 2014-11-10 09:31:18

Prishtinë, 10 nëntor – Ulet në karrigen pranë tavolinës mbi të cilën janë vendosur instrumente të ndryshme. Të parën zgjedh duclar- një instrument i veçantë që ka prejardhje nga Azia Juglindore.

Publiku që ka mbushur gjysmën e sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës e duartroket fill pas performancës së parë. I veshur me të bardha, në kokë mban një kapelë me detaje bardhezi, artisti i njohur siberian, Vladiswar Nadishana, prezanton vetveten para publikut kosovar.

“Jam nga Siberia Jugore dhe jam këtu në Prishtinë për herë të parë. Më vjen vërtet mirë që jam këtu, me miqtë e mi”, thotë protagonisti i koncertit të së shtunës mbrëma “Ethno fusion”, që u solli ethno fusion në kryeqytet.

Nadishana, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, është multiinstrumentist, kompozitor dhe producent i cili krijon muzikë unike dhe inovative. Në skenë ai u shoqërua nga “Ertan Iliyaz and Friends V”, që ka qenë realizues i koncertit. Bashkë me kolegët e tij nga Kosova, ai për më shumë se një orë e ndërtoi koncertin mbi tinguj unikë, që janë produkt i eksperimenteve të tija me instrumente nga e gjithë bota. Mes pikave, Nadishana ndalet të japë shpjegime.
“Ky është instrument i realizuar nga metali, është goxha i ri.

Është modifikim modern i një instrumenti nga Trinidadi, që është një lloj instrumenti folklorik, dhe ka tingullin shumë të mirë”, shpjegon muzikanti, që në performancat e tij përzien tingujt e jazzit, me fusion e muzikë etnike bashkëkohore.
Nadishana, i cili njihet që luan në më shumë se 200 instrumente, mes instrumenteve që ka vendosur në tavolinë përballë vetes ka përfshirë edhe të tilla që kanë rrënjët në vendlindjen e tij.
“Do të luaj me këtë instrument të vogël nga Siberia, që quhet hulus”, është shpjegimi i tij i radhës, teksa rituali përsëritet. Ai interpreton e publiku duartroket.

Në një pikë të performancës ai bën një “kthesë”, duke befasuar publikun me lojën që bën në dy instrumente njëkohësisht.
“Këtu nuk është një, por janë dy instrumente. Kjo është një lloj kitare por jo një kitarë e zakonshme”, thotë Nadishana, teksa interpreton pak tinguj për të ilustruar dallimin e kitarës që mban në duar, me një kitarë të zakonshme. E instrumenti i tij i dytë quhet “futujara” dhe është një instrument eksperimental. Nadishana ka bashkëpunuar me shumë artistë botërorë, në mesin e të cilëve është edhe këngëtarja shqiptare Eda Zari. Në Prishtinë ka interpretuar edhe me instrumentet “hang drum” dhe “hybrid kaval”, për t’i dhënë publikut kosovar rastin për të dëgjuar instrumente me të cilat nuk është luajtur në ndonjë koncert më parë.

Pjesa e parë e koncertit, në të cilin mysafiri special nga Siberia shoqërohet edhe nga multiinstrumentisti kosovar Astrit Stafai dhe Fatlind Ferati në bas, përmbyllet me këngën që quhet “Watersong”. E mbrëmja me muzikë etnike, akustike e elektronike nuk përfundon me kaq. Pas një pauze të shkurtër skena i takon bendit kosovar “No Name”, në përbërje prej tre anëtarësh, Avni Krasniqi në trumbetë dhe kompjuter, Betim Krasniqi në trombon dhe Visar Mehmeti në flaut. Bendi i cili karakterizohet me faktin se luan vetëm muzikën që krijon vetë, në skenën e TKK-së shpërndau muzikë elektroakustike, të gërshetuar me elemente të muzikës etno dhe jazz.

Mikpritja që i bëri publiku e ka dërguar Nadishanën në shtëpi me idenë që të kthehet përsëri në Prishtinë.
“Kjo mikpritje nga ana juaj më jep dëshirën që të vij sërish në Kosovë”, kanë qenë fjalët me të cilat Nadishana ia ka dhënë lamtumirën publikut.

Ertan Iliyaz ka thënë se nuk ka qenë e lehtë të realizohet një koncert i tillë dhe që Nadishana të vinte në Prishtinë nga Siberia.
“Duke qenë një organizim me përmasa kaq të mëdha për faktin që mysafiri vinte nga Rusia, shtet që ende nuk e ka njohur Kosovën, duhet të kesh më shumë përkrahje nga institucionet kosovare. Por me buxhet të vogël arritëm të bënim një koncert solid”, ka thënë Iliyaz, tek ka shtuar se fillimisht kanë pasur disa telashe me vizën e mysafirit.

Iliyaz ka shtuar se koncerti ka shkuar mirë dhe muzikantët nga Kosova po ashtu e kanë dhënë kontributin e tyre siç ka qenë plani.
Ani pse salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ishte e mbushur krejtësisht, ata që kishin zgjedhur të shtunën mbrëma për të dëgjuar koncertin e organizuar nga “Ertan Iliyaz and Friends V” dolën të kënaqur nga salla.

Për Ilir Durmishin ka qenë eksperiencë e veçantë të dëgjonte “love” tinguj të instrumentit “hang drum”, por gjithashtu përshtypje i kanë lënë edhe instrumentistët nga Kosova.
Koncerti i pestë me radhë i realizuar nga “Ertan Iliyaz and Friends V” është mbështetur edhe nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë, nga Ministria e Kulturës e Komuna e Prishtinës. Sponsor medial i koncertit është Kohavisioni

 

http://koha.net/?id=4&l=32654