“Ethno and Flamenco” pushton adhuruesit e muzikës (Alb)

Posted on Aug 15, 2014 in Media

W3vina.COM Free Wordpress Themes Joomla Templates Best Wordpress Themes Premium Wordpress Themes Top Best Wordpress Themes 2012
“Ethno and Flamenco” pushton adhuruesit e muzikës (Alb)

Publikuar: 06.04.2012 – 09:54

Prishtinë, 6 prill – Disa muaj më parë në një lokal në kryeqytet dy kitara ishin mbështetur për piano. Aty po darkonin Agron Peni dhe Astrit Stafai. Krejt rastësisht kishin kapur në dorë kitarat dhe kishin nisur të luanin. Agroni me tinguj klasikë dhe tinguj të flamengos nga njëra anë, e Astriti me jazz, pop e muzikë popullore tradicionale do të ishte kombinimi i një fillimi të ri. Të dy qenë bindur se duhen të thellonin bashkëpunimin. Gjashtë muaj më parë ata do të themelonin duon “Ethno and Flamenco”

Shumë shpejt do të kuptonin se në ritmin e tyre kanë nevojë edhe për një tingull. Vend do t’i bëhej pianistit Ertan Iliyaz, i cili është shkolluar në Stamboll të Turqisë edhe për bateri e perkusione nga muzika jazz e flamengo.

“Pamë që gjithçka rrodhi shumë interesant, dhe që nga ai moment ne patëm planifikuar se si të fillonim të bënim projekte si ky i këtij lloji”, ka thënë Stafai. Bashkë me Avni Krasniqin në tastierë dhe elektronikë, Stafai të bashkuar në grupin “No Name Duo” është prezantuar edhe të enjten mbrëma në natën e shtatë të festivalit ndërkombëtar të muziktarëve të rinj, “DAM Festival”.

Gjashtë instrumentale krejtësisht të reja dhe përpunimi i këngës së vjetër “Do të shkrihem”, janë bërë bashkë në një DVD, në titullin “Ethno and Flamenco”. Promovimi i saj është bërë me një koncert, që është mbajtur mbrëmjen e së mërkurës në “Hamam Jazz Bar” të kryeqytetit.

Derbi futbollistik i ligës së kampionëve kishte vonuar pak publikun në këtë bar. Me kohë kishin ardhur kryesisht femrat. Por trioja shfrytëzon kohën për të rrëfyer historikun e shkurtër të bendit për “Kohën Ditore”.

“Ethno and Flamenco” pushton adhuruesit e muzikës

“Ethno and Flamenco” pushton adhuruesit e muzikës

E kur kanë nisur të bënin muzikë, rreth orës 22:00, ata kanë folur pak. Një “mirëmbrëma” dhe “mirë se keni ardhur” ka qenë ndër pak fjalët e trios. “Mes tingujve”, kënga e parë e DVD-së së trios ka qenë mirëseardhja për publikun, që nuk kanë qenë në numër të madh. Këngët “Dialog”, “Mirazh”, “Mirazh 2” “Madrigal” të kompozuara nga Agron Peni, “Perëndimi i vagëlluar”, e Astrit Stafai dhe “Do të shkrihem” e përpunuar, ka qenë programi bazë i trios. Tinguj të muzikës botërore, prej rock deri te flamengo kanë qenë ata me të cilët trioja e ka mbajtur të ndezur atmosferën deri në 30 minutat e parë të së enjtes.

“Ne kemi kaluar shumë mirë, edhe njerëzit po na thonë se kanë kaluar shumë mirë. Ata që ishin, jam i sigurt se kanë ardhur vetëm për të dëgjuar muzikën tonë, dhe rrjedhimisht ata e kanë kuptuar shumë mirë atë”, ka thënë Ilyaz.

Një koncert ata e kishin mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që kishte qenë njëherësh paraqitja e parë publike e tyre, në këtë formacion.

“Ka gjashtë muaj që kemi punuar në këtë album. Kemi bërë gjashtë kompozime krejtësisht të reja, përveç riaranzhimit të këngës ‘Do të shkrihem’”, nis rrëfimin kitaristi Astrit Stafai.

Aty ku e lë Astriti, rrëfimin e vazhdon Agroni, i cili tregon se kjo është hera e dytë që grupi paraqitet para publiku.

“Kemi vendosur kështu ta bëjmë një paraqitje për album një koncert me ato këngë. Ideja ka qenë që të bëhet një formacion i cili bën muzikë vetëm në koncerte, jo edhe në lokale, sepse deri diku po i bie vlera më pas”, ka thënë kitaristi Agron Peni.

Ertan Ilyaz, që trion e ka plotësuar dy muaj pasi që dy kitarat ishin bashkuar, thotë më bindje se puna po shkon mirë.

“Agroni na mblodhi dhe realisht po funksionojmë shumë mirë. Shpresojmë se projekti do të ecën dalëngadalë, por sigurt”, ka thënë Ilyaz. Menjëherë ata po mendojnë për volumin e dytë të albumit.

“Puna po shkon shumë mirë. Jemi në diskutim për të punuar për të nxjerrë albumin e dytë të këtij formacioni”, ka thënë Stafai.

Deri atëherë trioja është duke menduar edhe për një turne të vogël nëpër Kosovë.

“Në maj besojmë se do të shkojmë në Gjakovë, e po shpresoj që do të mund të realizojmë edhe në Prizren dhe Pejë”, ka thënë Peni. Ata e dinë që nuk kanë shumë përkrahës të llojit të muzikës që bëjnë në Kosovë.

“Shija kohëve të fundit është shkatërruar totalisht dhe shumë pak përkrahet kjo lloj muzike. Ne kemi vendosur që të sakrifikojmë, që të paktën mos të ndahemi nga ky drejtim. Kjo nesër mbetet një shenjë”, ka thënë Peni. “Mbetet një material për kitaristët e ardhshëm”, e ka plotësuar Stafai.

Trioja e “Ethno and Flamneco” thonë se do të mbesin të tillë si formacion bazë, por nuk përjashtojnë mundësinë që të kenë mysafirë në vokal apo të instrumenteve tjera. Por qëllimi mbetet i njëjtë: paraqitja e një zhanri të ri dhe interesant dhe deficit në skenën muzikore të vendit. Përveç ethno e flamnego, trioja interpreton edhe rumba, tango e jazz.

“Kombinimi është i përshtatshëm, sepse jemi afër profesionalizmit”, ka thënë Peni.